Federata Ndërkombëtare e Automobilizmit organizoi konferencën e parë on-line e-Conference për Sportin dhe Mobilitetin nga 15 deri më 18 Qershor. Në këtë konferencë u regjistruan 1.000 delegatë nga 243 Klube Anëtare nga 146 shtete, për të punuar së bashku për të ardhmen e motorsportit dhe mobilitetit në të gjithë botën. Në këtë konferencë shumë të rëndësishme ndërkombëtare mori pjesë edhe KTA si anëtare e FIA-s
Për sa i përket motorsportit, “Qasja e re” e propozuar nga Presidenti i FIA-s Jean Todt u mbështet nga të gjithë pjesëmarrësit dhe do të jetë udhëzues për veprimet për një rifillim të mirë dhe një të ardhme të qëndrueshme të motorsportit. Qasja e re përfshin rregulla të miratuara kohët e fundit për të zvogëluar kostot, një reflektim në pozicionimin e kampionateve të FIA-s, modele më gjithëpërfshirëse të biznesit, rritjen e popullaritetit të motorsportit dhe aksesueshmërinë përmes pjesëmarrjes masive me disiplina të reja si Digital Motor Sport dhe gjithashtu një ftesë për të kontribuar me përgjegjësi në shoqëri. Presidenti i FIA-s nënvizoi se rifillimi i sezonit të motorsportit me Çmimin e Madh të Austrisë që do të zhvillohet dy javë radhazi krijon një mundësi të fortë për të rikthyer kënaqësinë e argëtimit për tifozët ndërsa kontribuon në rindërtimin e besimit dhe aktivitetit ekonomik në dobi të të gjithë punonjësve të motorsportit dhe palëve të interesuara.
Gjithashtu, u lançua një lëvizje e re “#PurposeDriven” për komunitetin e motorsportit. Si pjesë e lëvizjes, FIA do të përpiqet të veprojë si një katalizator dhe një udhëzues për objektivin dhe ambicien e sportit për të përshpejtuar me përgjegjësi kontributin e tij pozitiv për shoqërinë në të gjithë sektorët, përfshirë shëndetin, sigurinë, ekonominë, mjedisin, arsimin, gjithëpërfshirjen dhe diversitetin. Jean Todt ftoi të gjithë anëtarët e komunitetit të motorsportit që të angazhohen në një “Betim të Qëllimit” dhe të ndërmarrin veprime konkrete në këtë drejtim.
Gjatë seancave të Sportit, ish-Presidenti i Meksikës dhe Kryetari i Komisionit të Mjedisit dhe Qëndrueshmërisë së FIA-s, Felipe Calderón tërhoqi vëmendjen e audiencës për rëndësinë e promovimit të motorsportit dhe mobilitetit të qëndrueshëm në mënyrë që të kontribuojë në objektivat globale mjedisore. Nga ana e tij, Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino bëri një deklaratë të fortë për përgjegjësinë sociale të Federatave Ndërkombëtare të Sportit. Drejtori Menaxhues i F1, Ross Brawn ishte optimist se rregullat e reja financiare të prezantuara nga FIA do t’i ndihmojnë ekipet të ecin përpara.
Në aspektin e Mobilitetit, debatet nxorën në pah se kriza shëndetësore dhe izolimi kanë ndikuar fuqimisht në popullatën globale. Ndërsa u përshëndet përshtatshmëria e Klubeve Anëtare të Mobilitetit. Ato iu përgjigjën shpejt krizës dhe aktualisht janë në kërkim të investimeve të ardhshme. Ashtë lançuar një program i ri Mobiliteti në të gjithë botën që mund të përdoret si një hartë rrugore për Klubet Anëtare në vitet e ardhshme. Ai përfshin këshilla dhe ekspertizë të përkushtuar në mënyrë që të mbështesë Klubet e FIA-s në mënyrën më efikase. Për më tepër, folësit shtuan se mënyrat e transportit duhet të kombinohen në një mënyrë inteligjente. Sa i përket sigurisë rrugore, u theksua edhe një herë bindja se duhet ta bëjmë sigurinë një vlerë thelbësore të sistemit të transportit rrugor.